Topçinjtë e filluan më mirë takimin duke imponuar lojë të shpejtë dhe dinamike, për të mos lejuar Blaugranët që të merrnin lojën në dorë, dhe natyrisht ishin më të rrezikshëm në fazën ofensive, porse nuk arritën që të ishin konkretë.
Nga ana tjetër, Blaugranët dalëngadalë imponuan ritmin e tyre të lojës duke rrëmbyer topin në pronësi dhe kjo rezultoi me raste dhe me një gol në pjesën e parë.
Fillimisht Leo Messi pati një super-rast duke bërë gjithçka mirë, mirëpo topi përfundoi jashtë rrjetit (15’). Lojtari më i mirë në botë më pas asistoi te David Villa, i cili në stilin e sulmuesit klasik plasoi topin nën këmbët e portierit Szczesny për rezultatin 1-0 (26’).
Performanca e bukur vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ndërsa ishte sërish Arsenali që në fillim diktoi lojën dhe shkaktoi presion para portës mysafire, megjithatë konkretizimi mungonte.
Në ndërkohë, katalunasit kohë pas kohe shfaqnin lojën e tyre duke qenë gjithnjë të rrezikshëm në repartin ofensiv.
Më në fund angazhimi i Topçinjve u shpagua nga sulmuesi Robin van Persie, i cili shënoi një gol ‘të pamundur’ (78’) për të barazuar rezultatin dhe për të ngritur në këmbë tifozët vendas.
Topçinjtë nuk u ndalën me kaq, por arritën që në mënyrë të jashtëzakonshme të kthenin rezultatin në favor të tyre, kur lojtari i inkuadruar në pjesën e dytë, Andrey Arshavin, mposhti portierin Valdez (83’), pasi pranoi një pasim nga Samir Nasri.
Ky rezultat lë gjithçka të hapur për ndeshjen kthyese, e cila zhvillohet në kështjellën e Barcelonës, në Camp Nou.
0 comments:
Post a Comment