http://www.bloggerthemes.net/

Thursday, February 10, 2011

Doktor Flori: Ja pse nuk është shpërbërë “West Side Family”

Në këtë intervistë Dr. Flori ka folur mbi ç’bazë është krijuar muzika dhe krijimtaria e tyre muzikore, si lindin motivet muzikore te këngët e këtij grupi, ka folur në lidhje me muzikën shqiptare dhe atë botërore në ditët e sotme, mbi stilin muzikor të këtij grupi. Gjithashtu ai ka folur dhe mbi veprimtaritë e ndryshme muzikore që zhvillohen sot në Shqipëri dhe mbi pjesëmarrjen e tij me dy tekste këngësh. DR. Flori ka folur mbi suksesin e grupit të tij dhe arsyet se përse ky grup nuk është shpërbërë si ka ndodhur dhe me shumë grupe të tjerë.

Cila është ajo vlerë që ju merri prej traditës së muzikës shqiptare?
Jam bazuar te folklori, kemi një folklor të bukur, të veçantë, tingëllon ndryshe nga gjërat e tjera dhe neve kjo na ka dhënë veçanti dhe sukses. 
Motivet e këngëve tuaja marrin përmasa më të mëdha se sa ato intimet, është ky një synimi i juaji?
Muzika asnjëherë nuk është me të menduar me laps dhe letër është vetëm ndjesi. Dhe ajo shpërthen krijon rezonancë te publiku... dhe ai e bën të tijën këngën.
A mund të na kujtoni motivet e krijimit të grupit “West side family” si filluan ato?
Në fillim u bazuam në muzikën perëndimore pastaj mori këtë zhvillim që thoni ju me anë të futjes së elementëve të flokut. 
Cili është mendimi në përgjithësi për muzikën shqiptare qoftë atë të traditës apo atë të sotmen?
Është sporadike, individuale e paorganizuar, e pa strukturuar domethënë në momentin që do të ketë strukturë të fortë në kemi potencial që produktet tona të mos rrinë vetëm në Shqipëri, por dhe me anë të kësaj politike globale që po aplikohet në të gjithë botën të ketë treg edhe jashtë Shqipërie.
Keni një stil të kënduari krejt të lirshëm të pakollarisur qoftë në skenë, po qoftë dhe në stilin e të kënduarit tuaj. Si e keni kultivuar këtë stil?
E thashë dhe në fillim që është ndjesi është një gjë që e ke brenda dhe nuk është me të menduar. Je me atë gjatë gjithë kohës, thjesht kemi qenë të sinqertë të natyrshëm ashtu siç jemi dhe kjo ka funksionuar.
Me cilët autorë të tjerë të këngës ndjeheni më komod në bashkëpunimin tuaj?
Me Shpëtim Saraçin, i cili është bashkëpunëtor në këngët e mija.
Po këngët që ju keni kompozuar vetë?
Unë pothuajse kam gisht në të gjitha këngët që i kam kompozuar vetë, pak më shumë pak më pak te njëra apo te tjetra, po tek të gjitha këngët kam gisht qoftë në tekst qoftë në muzikë. 
Cili është mendimi juaj dhe i grupit tuaj për veprimtaritë e këngës që zhvillohen sot në Shqipëri?
Duhen formatuar me koncepte të reja dhe të kenë një strukturë bashkëkohore, siç e ka e gjithë bota. Mbi të gjitha, duhen çliruar për të arritur atje ku duhet.
A keni pasur raste të inatoseni në marrëdhënie me kolegët?
Inate kanë njerëzit e vegjël për të arritur më lart, po inat është fjalë e madhe dhe mua nuk më përkasin inatet. 
Shqipëria pa viza do të thotë dhe kënga shqiptare pa viza?
Në radhë të parë duhet të jemi në rregull me veten tonë, po nuk pati bashkëpunim nuk mundet dot që ta çajë tregun e huaj sepse punohet me struktura për të arritur andej. Ne e kemi një çikë të vështirë, një shqiptar është pak dhe dy shqiptarë janë shumë. 
Ka shumë grupe që në fillim të karrierës së tyre si në Shqipëri edhe në botë pasi shënojnë një sukses. shpërbëhen kurse me ju ka ndodhur ndryshe. Si e shpjegoni këtë?
Kjo ndodh për arsye të karakterit, të ndryshueshmërisë midis njërit tjetrit duke pasur dhe ndryshueshmëri plotësojmë dhe njëri-tjetrin, nuk kemi përplasje dhe për arsye se ne besojmë të njëri-tjetri. 
Të vijmë te festivali i fundit në RTSH i cili do të fillojë në datë 23 të këtij muaji. Keni pasur një traditë të mirë të bashkëpunimit me këtë festival ku jeni ngjitur disa herë në skenën e këtij festivali. Cili është në rastin konkret bashkëpunimi juaj me këtë festival?
Në këtë festival kam dy tekste këngësh; një është me Mateus Frrokun tjetra është me Marjeta Billon. Të dyja janë këngë shumë të mira. Të shpresojmë që të dali mirë pasi performanca live normalisht që është kulmi dhe këtu qëndrojnë vlerat e festivalit të madh por duhet dhe një mbështetje e mirë, të paktën teknike.
Cili është mendimi juaj për muzikën kontemporane pra globalizmi dhe muzika botërore, si ndjeheni ju në këtë lloj areali të muzikës?
Bota po ecën si politika e cila është globale dhe muzika është e tillë edhe rrymat pothuajse janë shartuar shumë me njëra-tjetrën pra nuk ka më stile të sakta si rrok ose rrep, haus, të gjitha këto ndërthuren midis njëra - tjetrës dhe këto hibridet kanë pasur shumë sukses pra po i sjellin njerëzit shumë afër njëri- tjetrit dhe me anë të muzikës shuhen kufijtë dhe racizmi pra është avangardë gjithmonë muzika. 
Doktor Flori jeni vetëquajtur apo ju kanë quajtur dhe cili është emri juaj i vërtet?
Emri im i vërtet është Florian Kondi dhe doktor Flori është pseudonim. Ashtu ma kanë vënë këtë “nofkë” dhe ashtu ka ngelur.
Cila është jeta juaj përtej muzikës?
Kjo është një pyetje shumë e shkurtër po që duhet t’i përgjigjesh shumë gjatë. Është si jeta e gjithë të tjerëve. 
A keni menduar që në përbërjen e grupit tuaj të jetë dhe një këngëtare?
Të qëndrueshëm jo, por bashkëpunime po.

0 comments:

Post a Comment