http://www.bloggerthemes.net/

Saturday, February 12, 2011

Një kuzhinë plot me sekrete

Sigurisht që është e vështirë të zbulosh gjithë të fshehtat e kuzhinës; ne nuk pretendojmë të dimë gjithçka. Ama na hyjnë në punë ca truke të vogla dhe shumë të thjeshta, që na i bëjnë gatimin më të lehtë.
UTHULLA 
Ju shpëtoi dora? 
Keni hedhur shumë uthull në sallatë? Ju shpëtoi dora? Mos u shqetësoni! Për ta shpërndarë, mos e përzieni sallatën, por hidhni në të dy copa buke të vogla, pastaj përziejeni sallatën dhe më pas hiqini copat e bukës. Kështu buka do të ketë thithur uthullën dhe sallata është gati për t'u shijuar.
PORTOKAJTË 
Si të shtrydhësh më mirë lëngun e tyre?
Prijini portokajtë ose limonët përgjysmë, vërini për 15 sekonda në furrën me mikrovalë me nxehtësi maksimale dhe më pas shihni se si do të shtrydhni të gjithë lëngun, pa u lodhur aspak.
LULESHTRYDHET
Si t'i pastrosh? 

Duket gjëja më e thjeshtë në botë, por ja që edhe larja e luleshtrydheve e ka një sekret. Në fillim duhet t'i lani me ujë të bollshëm dhe t'i thani dhe pastaj të hiqni gjethen e vogël që kanë në majë, sepse nëse e bëni këtë proces para larjes, uji depërton brenda në luleshtrydhe dhe e shkatërron shijen.
SALLATA
Mos e hidhni! 

Nga dreka ju ka tepruar sallata jeshile e përgatitur me vaj e uthull? Mos e hidhni. Ziejeni për gjysmë ore me 500 ml lëng pule ose koncentrat pule, 250 g bizele dhe l qepë të grirë. Sapo të ziejë, kalojeni në përzierës elektrik. Më pas shërbeji mbi copa buke të thekur.
MJALTI
Është kristalizuar 

Ke një kollë që po të torturon. Përgatit menjëherë një gotë qumësht të ngrohtë dhe kërkon t'i hedhësh edhe një lugë mjaltë, i cili duke ndenjur për një kohë të gjatë i harruar brenda në dollap, është kristalizuar në atë pikë që nuk e shkëput dot nga vazoja me asgjë. Në këtë rast ju vjen në ndihmë furra me mikrovalë. Futeni mjaltin për një minutë brenda me nxehtësi maksimale dhe mjalti kthehet sërish si në gjendjen e mëparshme.
ANANASI
Si ta konservosh mirë? 

Ananasi i freskët nuk i duron dot temperaturat më të ulëta sesa 7 gradë Celsius. Prandaj mos e fusni në frigorifer, por ruajeni në vendin më të freskët të shtëpisë.
KËRPUDHAT
Si t'i pastrosh? 

Janë të mrekullueshme, por të vështira për t'u pastruar. Merrni një thikë, një furçë dhëmbësh (të papërdorur) dhe një sfungjer nga ata të verdhët me një shtresë jeshile.
Me thikë dhe furçë elimino dheun dhe me sfungjerin e lagur pjesën ngjitëse mbi kapelë.
Më pas kaloji një nga një në ujë të ftohtë në mënyrë që të mos ngelen mbetje dheu. Nëse ky proces bëhet me shpejtësi maksimale, kërpudhat nuk e humbasin shijen.
MAJDANOZI
Si ta ruash gjithmonë të freskët? 

Që degëzat e majdanozit të rezistojnë sa më gjatë, prijini pak milimetra kërcejtë dhe vendosini në një gotë me ujë, siç veproni për lulet. Çdo dy ditë përsëriten i veprimin duke ndërruar edhe ujin dhe do të keni gjithmonë majdanoz të freskët. Mund të zgjasë edhe 15 ditë. 

0 comments:

Post a Comment