Pas Ferizajt edhe në Skenderaj një grup i qytetarëve, mbrëmjen e se premtes, në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, kanë djegur publikisht një sasi të mallrave serbe. Njëri nga organizatorët, Hysni Ngucati ka thënë se disa mallra janë marrë nga shitoret e këtushme, e disa tjera i kanë sjellë vet qytetarët.
Një gjest i tillë është mirëpritur nga të gjithë ata që kanë qëlluar në qytet, pjesa më e madhe e të cilëve ishin mërgimtarë, duke thënë e kërkuar qe të digjen prodhimet serbe.
“Ky është gjest i mirë simbolik, dhe ndoshta ngrit vetëdijen te qytetarët qe definitivisht të mos përdorin më mallra serbe dhe këtë për shumë arsye, duke u nisur nga ajo se janë nga shteti armik, se janë të rrezikshme për shëndetin, si dhe për shkak të gjakut të derdhur gjatë një shekulli e urojmë që gjaku i Enver Zymberit të jetë i fundit”, ka deklaruar Hazir Bajrami, i cili me familje kishte ardhur nga Vjena.
Ndërkaq, Miftar Mehmeti, për prezencën e mallrave serbe ka fajësuar kompanitë tregtare. “Fajtor kryesor janë firmat tregtare, të cilat për përfitime personale tregtojnë ato produkte dhe, çka është edhe më keq, kontrabandojnë mallra serbe, kurse nuk i shfrytëzojnë mundësitë e shumta për tregti me vendet tjera”, ka shprehur mendimin e tij ai, raporton Koha.
Por, kishte edhe mendime se fajtor kryesor është shteti, i cili duhet të kujdeset për furnizimin e qytetarëve, por edhe për stimulimin e prodhimeve vendore. “Me kanë shteti tamam, nuk kish lejuar këto sene, e kish mbyllur kufirin moti, kurse këta që po e vazhdojnë jaraninë me Serbinë i kish dënuar rrastë e këto sene ishin ndalë moti”, ka deklaruar Ismail Sahiti, ish-tregtar.
Organizatorët e kësaj iniciative kanë paralajmëruar aktivitet të ngjashëm edhe në ditët në vijim, në mungesë të shoqërisë civile dhe opozitës në Skenderaj.
0 comments:
Post a Comment