Mos bëni luftë, bëni dashuri”. Kjo është motoja e Ervin Sinjarit, 33-vjeçarit që doli javën e shkuar nga shtëpia e Big Brother. Pasi u përfshi në një histori dashuri të debatuar nga banorët e tjetër të shtëpisë, Ervini rikonfirmon për “Standard” se me biondinën ka një tërheqje të vërtetë dhe speciale. “Ajo është vetvetja, si unë”, – thotë ai që “triumfoi” edhe ndaj kandidaturave të tjera, si Algeni, Emilio, Edisoni.
Por, kush është Ervini, 33-vjeçari me gjyshe italiane, që jetën e ka ndarë mes Italisë, Francës, Tajlandës, ku ka bërë miq VIP-a, dhe Londrës?! Çfarë mendon ai tani për personazhet e BB dhe për atë që e cilëson “Këshilli i ndrikullave”?
Ervin, si kanë kaluar ditët pas daljes nga shtëpia e BB?
Këto ditë kanë kaluar shumë mirë, me familjen, me Toros, me të cilin kam shumë miqësi etj.
Me Toros e ke ruajtur miqësinë edhe pasi keni dalë nga BB?
Po, Toros më ngjit shumë sepse është si puna ime, i drejtpërdrejtë, atë që mendon, e thotë. Vetëm se ai është i fiksuar pas politikës, kurse unë pas dashurisë, kjo është gjëja që na ndan me njëri-tjetrin.
Edhe këtu në kafe shohim që njerëzit të njohin dhe të përshëndesin. Cilat kanë qenë reagimet?
Po, ka njerëz që më tërheqin vëmendjen, më kompliementojnë, më thonë që s’duhet të isha unë që duhet të dilja etj. Me daljen time, gjithë shokët e mi dhe miqtë nuk e shohin më BB, pasi kanë mbetur pak të zhgënjyer.
Tani që e sheh nga jashtë BB, si të duket loja e banorëve?
Nuk është ai aksioni që ishte. Shoh Ermelën, ajo është plot surpriza, i fut njerëzit në lojë dhe ka për t’i kundërsulmuar. Por, dalëngadalë, BB do të nxjerrë të reja, e sigurt.
Kush mendon se do dalë nga BB sonte në mbrëmje?
Unë besoj se Alkena, sepse Jonela sa është futur në lojë dhe nuk ka dhënë ende gjithçka nga vetja. Kurse Alkena u bë një muaj e ca në lojë dhe s’ka dhënë asgjë veç patriotizmit. Jonela është rob Zoti, por ka nevojë për përqendrim aty brenda, që të japë më shumë, kurse Alkena më ka zhgënjyer që në fillim.
Sa i takon Ermelës, si të është dukur me daljen tënde nga shtëpia? Pak e mërzitur, apo jo?
Ermela, qetë fare, ma premtoi kur dola që ka për t’i hapur derën Algenit. Jam 100 për qind i sigurt që ka për ta mbajtur premtimin. Kjo, pasi Algeni e mbajti premtimin që do më hapte derën mua, pasi kështu më tha dhe kështu ngjau në të vërtetë. Problemi me Algenin qëndron në faktin se që në fillim të lojës ai gaboi strategji, duke u futur mes meje dhe Ermelës. Normal që nëse je kundër Ermelës, je edhe kundër meje dhe anasjellas. Ai duhet të kapej me ndonjë tjetër, me Ogrenin p.sh., por me Ogrenin nuk ka këllqe ai. Kurse me të tjerët kapet me gjëra të vogla.
Sipas teje, kush po luan më shumë aty brenda dhe kush është vetvetja?
Të gjithë janë duke luajtur aty brenda, askush nuk është vetvetja. Vetëm Ermela ka qenë vetvetja deri tani dhe tani po bën edhe ajo një strategji, ndërkohë që të gjithë shkojnë te ajo pasi e shohin si pikë referimi.
Megjithatë, ajo nuk ka gjetur ende një aleat të fortë aty brenda, edhe pse BB ka treguar që klanet funksionojnë…
Ajo nuk ka pasur asnjëherë aleat. Ermela shpëtoi nga klanet që kishin bërë të tjerët dhe është thjesht vetvetja. Tani ajo ka mundësi t’i sulmojë të gjithë.
Po ju të dy, pse u sulmuat aq shumë nga banorët? Ata mendonin se ju të dy ishit lidhur për të mos u dominuar, apo jo?
Nuk na besonin, ndaj na sulmonin. Unë e pashë që në fillim që Ermela ishte kundër të gjithëve, pasi ishte sulmuar nga Algeni. Ky donte të bënte një aleancë me Ermelën, por ajo nuk e pranoi. Po kështu, edhe me Emilion. Të dy i nxori nga loja. Unë e mora si një femër që ishte vetvetja, nuk qante kot më kot si Elisa apo të bënte si gjynah, siç bëjnë të tjerët. Më pëlqeu pikërisht për këtë, pasi ishte si unë. Pastaj BB, na dha shansin me lojën e javës dhe aty na lindi pëlqimi që u përforcua çdo ditë e më shumë. Plus që nga ngacmimet e të tjerëve u nxitëm më shumë, pra “i dhamë drejtim”.
Atë natë që ti dole, Arbana pyeti banorët për ju të dy “A mendoni që është dashuri e vërtetë”?
Po t’i bësh tani këtë pyetje Klodianës apo Ergysit, do të të përgjigjen ndryshe nga më parë. Meqenëse Ermela pas daljes sime ka qenë paksa e mërzitur, tani e besojnë ata. Marieli dhe Mirjeta më kanë besuar gjithmonë. Kurse të tjerët na kanë sulmuar që t’u ecte mirë me lojën e tyre.
Mendon se kjo është një dashuri që do zgjasë edhe pasi Ermela të dalë nga BB?
Ku i dihet, unë besoj që po, edhe Ermela më tha po, pse jo. Por, duke parë e duke bërë. Fillimisht, të lëmë Ermelën të luajë. Kur të dalim jashtë, mendojmë prapë.
Kush do të doje të mos shkonte në finale?
Çdo njeri e meriton të shkojë në finale, por çështja është të tregohesh vetvetja. Unë nuk jam kundër asnjërit.
Po me Emilion si i ke marrëdhëniet tani, pasi në shtëpi Ermela ishte mes teje dhe Ermelës?
Unë me Emilion s’kam asgjë personale, të dy dolëm jashtë dhe po shohim punën tonë.
Na trego diçka nga jeta jote, dimë që ke jetuar për një kohë të gjatë në Itali dhe Tajlandë.
Në vitet ‘91-‘97 kam qenë në Itali, më pas kam qenë në Costa Azzura të Francës, pastaj kam lëvizur prapë në drejtim të Italisë, kam pasur një palestër timen, pasi jam trajner fitnesi. Më pas shkova në Tajlandë, ku qëndrova deri para dy vitesh. Atje kisha një restorant që frekuentohej edhe nga njerëz të famshëm. Por, me krizën që ra në Tajlandë, ndryshova edhe unë strategji, u zhvendosa në Londër, ku kam një dyqan rrobash. Pra, e ndaj jetën mes Shqipërisë dhe Anglisë. Gjithmonë kam qenë i ndarë mes dy kontinentesh, pasi kam rezidencë në Itali, në Tajlandë, Londër dhe natyrisht në Shqipëri.
Si një trajner personal që je, çfarë problemesh mendon se kishte Edisoni, i cili para se të futej në BB, siç ka thënë edhe vetë, kishte marrë komplekse të ndryshme vitaminash?
Ai kishte probleme me ushqimin, pasi ka nevojë të marrë shumë kalori ditore. Ndoshta me këto vitaminat e ka ekzagjeruar pak për moshën që ka. Me mungesën e ushqimit dhe vitaminave, ai u demoralizua, ndaj kishte nevojë për raporte seksuale. Edisoni u fut me strategji në BB, pasi na kishte parë edhe nga jashtë. Doli Emilio, u fut Edisoni për të qenë mes meje dhe Ermelës.
Sipas teje, atij i pëlqente Ermela apo e kishte strategji për të rënë në sy “luftën” me ty?
Ai donte të bënte lojën e vet, edhe pse Ermelën të gjithë e pëlqenin, si Algeni, Emilio, por dolën blof. Edisioni doli blof direkt, që ditët e para, pasi Ermela e provokoi dhe tregoi veten. Unë isha me shans që u pëlqyem me njëri-tjetrin.
Thonë që në shtëpinë e BB do të fusin edhe një tranvestit. Ke dëgjuar për këtë?
Kështu thonë, kam dëgjuar edhe unë, nuk di sa e vërtetë është kjo. Mos është Ogrena… Në BB është mbledhur “Këshilli i ndrikullave”, që përbëhet nga Alma, Alkena, Neda, Ogrena.
Sikur të ishe ende në shtëpi, do të kishe ndonjë paragjykim ndaj këtij personi?
Jo, unë isha me Ermelën dhe nuk shihja gjë tjetër.
Ervin, a je i suksesshëm me femrat, sepse disa banorë brenda në shtëpi të kanë cilësuar si një “mashkull të pashëm”?
Kam qenë gjithmonë, sidomos jashtë shtetit, kurse në Shqipëri femrat janë shumë më serioze, direkt në pozicion mbrojtës.
Pra, në Shqipëri nuk është se të ka ecur shumë?
Jo, jo, s’ka lidhje, por tani jam bërë çun serioz unë, nuk jam më si 20 vjeç kur gjëmoja pas femrave. Një shprehje e bukur thotë: Mos gjëmo pas femrave dhe autobusit, se mbetesh gjithmonë në këmbë! Sidomos në Shqipëri…
Në momentin që hyre në BB, ishte single apo kishe ndonjë lidhje?
Jo jo, isha beqar. Kisha lidhje të vogla, por pa interes fare. Historia e fundit serioze që kam pasur ka qenë në vitin 2005, me një Miss nga Norvegjia, histori që zgjati 2 vjet.
Po në Tajlandë ke pasur ndonjë histori dashurie?
Këtë historinë 2-vjeçare në Tajlandë e kam pasur. Shikoni, çdo vend në botë ka vajza të bukura, edhe Tajlanda nuk bën përjashtim. Tajlanda është një vend tropikal, vijnë njerëz nga e gjithë bota. Mund të bësh plazh në dimër, të shijosh jetën e natës. Jean-Claude Van Damme p.sh., jetonte poshtë shtëpisë sime, ka qenë klient i restorantit tim, po ashtu Silvester Stallone, Nicolas Cage kanë qenë klientët e mi etj. Por, këto gjëra nuk janë për t’u mburrur, siç bëjnë ca njerëz në BB.
Jetën e marrke me shumë pozitivitet Ervin…
Idhujt e mi janë Roberto Baggio, Angelina Jolie, Richard Gere, të cilët i kam parë shpesh në shkollat e budës në Tajlandë. Filozofia e këtij mendimi bën që çdo gjë negative ta kthesh në pozitivitet. “Mos bëni luftë pra, bëni dashuri”. Njerëzit në Tajlandë janë shumë të mirë, të qeshur, përshëndesin këdo, janë mjaft pozitivë. Unë jam person pozitiv. Edhe tani që jam jashtë, e ndihmova Elisën me të ëmën që të rrinte në shtëpinë time. Edhe Hënes, kur vjen këtu, rri në shtëpinë time. Po kështu edhe Toros, sa kohë do qëndrojë në Shqipëri, do t’i jap shtëpinë time. Nuk kam qejf që njerëzit të rrinë nëpër hotele, kur unë kam mundësi t’i ndihmoj.
Së fundmi, kush mendon se do ta fitojë BB?
Ajo varet nga publiku, nga votat. Unë kam qejf ta fitojë Ermela ose dikush që do dalë më i zgjuar se të tjerët. Por mendoj se do futen edhe persona të tjerë që do ndryshojnë rregullat e lojës, pasi BB ka surpriza.
0 comments:
Post a Comment